Do të filloj me një fushë shumë interesante: historinë e Shkupit. Fillimisht do të shkruaj diçka për Qytetin dardan Skupin dhe Kështjellën (Kalanë), me ide që kjo të jetë një nismë që do të duhej të begatohej në vazhdimësi. Me kontribute të ndryshme në këtë drejtim gradualisht do të formohej një kapitull i veçantë. Pres që në këtë mënyrë të joshim edhe ekspertë të fushave të ndryshme, sakaq editimi i kapitullit do të duhej të jetë permanent, ngjashëm me stilin e “Wikipedia”
Qyteti antik Skupi – ka qenë një nga qendrat e Dardanisë (së bashku me Ulpianën,Therrandën etj.). Ka pasur një pozitë qëndrore në udhëkryqin që e ka lidhur detin Egje me Danubin dhe detin Adriatik me Trakinë. Pas ediktit të Milanit nga viti 313, Skupi bëhet seli e ipeshkvisë, ndërkaq pas vitit 451 edhe e arqipeshkvisë. Gjatë historisë së tij Skupi është sulmuar shpesh nga fiset barbare. Më 518 rrënohet nga tërmeti katastrofal. Pas kësaj qyteti pushoi së ekzistuari dhe banorët e tij e zgjodhën lokacionin e kalasë së sotme per vendbanim të ri. Me hulumtimet e deritashme arkeologjike është konstatuar se Skupi ka përfshirë një sipërfaqe prej 40 hektarësh. Nga objektet e zbuluara veçohen dy bazilika, teatri dhe një pallat. Në pjesën qëndrore të qytetit janë zbuluar pjesë të një rruge me trotuare të gjera. Për të interesuarit që duan ta vizitojnë qytetit antik dardan, ai gjendet nën entin hidrometeorologjik, në vendin Zllokuqan.
Kalaja (Kështjella) e Shkupit – është e vendosur në kodrinën më të lartë të luginës së qytetit. Themeluesit e saj janë udhëhequr nga pozita e jashtëzakonshme strategjike e kësaj pike, pasi prej aty mund të kontrollohet një pjesë e madhe e luginës. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar gjurma vendbanimesh në këtë vend të vjetra 3000 gjer më 4000 vite para erës sonë. Sakaq, të dhënat e para për kalanë datojnë nga viti 536. Pas tërmetit katastrofal të vitit 518, në të cilin u rrënua qyteti antik dardan Skupi, vendbanimi i ri u ngrit në hapësirën e kalasë së sotme, madje edhe një pjesë e materialit për muret e para është marë nga objektet e rrënuara të Skupit. Gjer më sot janë ruajtur rreth 120 m nga muri më i vjetër, në të cilin janë inkorporuar blloqe të mëdha guri. Pjesa më e madhe e murit që shihet sot rrjedh nga periudha e vonshme osmane. Disa historianë besojnë se në vendin e Kalasë së Shkupit në fillim të shekullit VI është ngritur qyteti Justiniana Prima nga perandori Justinian. Sipas enciklopedisë Britanike ky perandor, i lindur në vendbanimin Taor, rreth 20 km në jug të Shkupit, ka qenë me prejardhje ilire.
|